Banorët e fshatit Gurë i Bardhë në Njësinë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, ankohen për mungesën e mjekut të familjes në fshatin e tyre. Sipas banorëve, mjeku i cili është caktuar për të gjithë njësinë administrative Xibër, vjen nga Durrësi dhe qëndron vetëm pranë qendrës shëndetësore në qendër të Njësisë. Ata shprehen se vetëm 2 vite më parë ka qenë mjeku në fshatin Gurë i Bardhë kur dhe janë bërë analizat e Check Up, ndërsa më pas ai nuk është dukur më aty. Banorët thonë nga ana tjetër, se pjesa më e madhe e tyre janë të moshuar dhe nuk mund të udhëtojnë deri në Xibër për një vizitë apo për të marrë një rekomandim, ku pa këtë të fundit nuk mund të marrin shërbim në Klos apo Burrel dhe detyrohen të paguajnë faturë për vizitat. Banorët ju bëjnë apel instancave shtetërore që ta zgjidhin këtë situatë, e cila është kthyer në problemin më të madh të tyre.