Kjo është godina e Gjimnazit “Shaban Çollaku” në qytetin e Klosit e cila po i nënshtrohet një rikonstruksioni total prej muajsh. Ndonëse kjo godinë arsimore duhej të ishte gati për të pritur gjimnazistët, në të vijon të punohet.

Rikonstruksioni i godinës ka nisur në datën 15 Korrik të vitit të kaluar dhe siç shihet në tabelën e vendosur atëherë, realizimi i punimeve duhej të ishte bërë brenda gjashtë muajve. Respektivisht, ambjentet duhej të ishin gati që me datë 15 Janar për të pritur nxënësit të cilët aktualisht vijojnë mësimin turni i dytë në godinën e shkollës 9- vjeçare “Tahir Hoxha”, Klos.

Ndonëse puna në ambjentet e brendshme duket e përfunduar, në klasa nuk është futur baza materiale dhe në ambjentet e jashtme vijon të punohet.

Zhvillimi i mësimit turni i dytë në godinën arsimore ngjitur ka sjellë mjaft problematika në procesin mësimor qoftë të arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm. Rivendosja në efiçencë të ambjenteve të reja të gjimnazit do të zgjidhte përfundimisht këtë problem në sistemin arsimor në Klos.