Çështja e ndotjes së mjedisit vijon të mbetet një problem shqetësues në vendin tonë. Hedhje të mbeturinave pa kriter ka ngado, ndërsa shkaku kryesor mbetet mungesa e kontenierëve për të depozituar mbetjet që krijojnë familjarët apo bizneset. Në aksin rrugor kryesor të Njësisë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit mungojnë koshat e mbeturinave nga fshati Shulbatërr deri në fshatin Gurrë e Vogël. Mbeturinat janë hedhur përgjatë rrugës ose në përroin që kalon mes dy fshatrave. Banorët kërkojnë që të vendosen kosha mbeturinash përgjatë gjithë rrugës sidomos në zonat ku ka lagje të banuara. Ata shprehen se koshat dikur kanë qenë vendosur, ndërsa nuk e dinë se ku kanë përfunduar.

Mbetjet e ndryshme të hedhura vend e pavend gjatë stinës së dimrit përfundojnë në lumin Mat e më pas në liqenin e Ulzës. Mbulimi me kontenier i të gjithë zonës është një domosdoshmëri për të mbrojtur mjedisin.