Zona e Qaf Murrizes, nga e cila kalon edhe bajpasi i rrugës së Arbrit, është ndër pikat më piktoreske të të gjithë rrugës nga Tirana deri në Dibër.
Por kjo zonë vijon të jetë e rrezikuar nga ndotja e cila shkaktohet nga udhëtarët e rastit por edhe ata që zgjedhin të pushojnë në këto ditë të nxehta korriku nën hijet e pemëve që ndodhen përgjatë kësaj rruge.
Siç shihet nga pamjet, zona vijon të ndotet me mbeturina të konsumit të çastit, por nuk mungojnë as mbetje të tjera të cilat hidhen nga automjete të transportit të mallrave.
Por ky nuk është vendi i vetëm në të cilin është shkaktuar ndotja. Në shumë sheshëpushime, udhëtarët që kanë ndaluar kanë lënë ambalazhet e ushqimeve apo pijeve që kanë konsumuar.
Ndërkohë, që ndotja e mjedisit duhet të jetë një ndërgjegjësim i të gjithëve pasi ai i përket cilitdo nga neve. Udhëtarët duhet që mbetjet e ushqimeve apo pijeve që konsumojnë gjatë ndalesës së tyre t’i marrin me vete dhe t’i hedhin në vendet e caktuara sapo t’i gjejnë në destinacionin ku janë nisur.