NDOTJE NË LUGINËN E SHKOPETIT

NDOTJE NË LUGINËN E SHKOPETIT

Lugina e Shkopetit po përballet sërish me problematikën e ndotjes së mjedisit, e shkaktuar nga persona të papërgjegjshëm. Situata nuk kufizohet vetëm në zonën e njohur si “Vabli”, ku ndodhet burimi ujor që tërheq vizitorë nga zona të ndryshme, por po shtrihet edhe në hapësira të tjera të luginës. Ditët e fundit, ndotja është vërejtur pranë sektorit C, ku janë hedhur mbeturina të ndryshme të mbështjella me thasë. Pamjet e publikuara tregojnë qartë gjendjen e rënduar të mjedisit, duke dëshmuar mungesën e kujdesit dhe respektit ndaj natyrës. Ky fenomen po krijon një imazh tejet negativ për zonën, e cila vizitohet çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj. Ndotja jo vetëm që dëmton peizazhin natyror, por ul edhe vlerën turistike të luginës, duke e bërë më pak tërheqëse për vizitorët që kërkojnë qetësi dhe pastërti. Pavarësisht sinjalistikës së vendosur për të mbajtur pastër mjedisin, shumë persona e injorojnë atë dhe nuk i tremben ndëshkimeve ligjore. Kjo sjellje e papërgjegjshme tregon mungesë ndërgjegjësimi dhe respekti për rregullat e vendosura. Autoritetet vendore kanë bërë apel të përsëritur qytetarëve që të mos ndotin mjedisin, duke kujtuar se janë vendosur kontejnerë në çdo zonë për hedhjen e mbeturinave. Çdo shkelës që do të konstatohet në flagrancë, do të ndëshkohet sipas dispozitave ligjore në fuqi, me qëllim që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla.