Ndotja mjedisore, bashkia Klos nis monitorimin në terren për të kapur në flagrancë abuzuesit me mjedisin

Ndotja mjedisore, bashkia Klos nis monitorimin në terren për të kapur në flagrancë abuzuesit me mjedisin

Bashkia Klos është në “alarm” nga ndotja mjedisore që po shkaktohet në territorin e saj. Zona më problematike mbetet ajo në kufi me Bulqizën, ku ka ndotje të madhe si pasojë e hedhjes pa kriter të mbeturinave të ndryshme. Vetëm një ditë më parë, “Mat Televizion” denoncoi shtimin e pirgut të mbeturinave në vendin e quajtur “Dushku i kuq” në fshatin Kloskatund. Rënia e trafikut të lëvizjes së automjeteve në rrugën e vjetër Qaf Buall – Klos ka favorizuar personat e papërgjegjshëm për hedhjen e mbeturinave këtu. Nisur nga situata e krijuar Bashkia Klos ka ngritur një task-forcë për monitorimin e territorit të saj nga ndotje të tilla. Përfaqësues të pushtetit vendot thanë se task-forca do të operojë në terren në të gjithë territorin, e sidomos në zonën më problematike që është fshati Plan i Bardhë dhe Kloskatund. Në këto dy fshatra dyshohet se ndotësit vijnë nga qyteti i Bulqizës, ku shmangin dërgimin e mbeturinave në vendin e përcaktuar dhe shfrytëzojnë këtë aks që ka pak lëvizje dhe i hedhin aty. Banorët kanë qenë dëshmitarë disa herë të konstatimit të furgonëve që ndalen në këtë zonë dhe hedhin mbeturina nga më të ndryshmet.