“Mat Televizion” ka udhëtuar këtë të shtunë drejt fshatit Ostren i Vogël për të parë nga afër situatën e krijuar me ujësjellësin e Gjoricës, nga i cili një javë më parë u helmuan dhjetra banorë. Vepra e marrjes së ujësjellësit është rrethuar pak ditë pasi ndodhi helmimi masiv i banorëve të Gjoricës.

Pak metra më lart veprës së marrjes së ujësjellësit të ujit të pijshëm për Gjoricën, ndodhet edhe ujëmbledhësi i një HEC-i. Aty duket qartë gjurma e tubacionit që sillte ujërat e zeza të fshatit Ostren i Vogël, por që tubacioni është hequr menjëherë.

Abdush Ajazi, banorë i fshatit Ostren i Vogël thotë se ky ujë ka rezultuar i papijshëm që para viteve 90-të. Sipas tij, përfshirja e ujërave të zeza të fshatit ka rënduar gjendjen.

Prokuroria e Dibrës ka proceduar penalisht adiministratorin e HEC-it, Kadri Muça nën akuzën “Ndotja e ajrit, ujërave dhe tokës”. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë nëpërmjet shërbimit të higjenës ka marrë edhe këtë të shtunë mostra për t’i analizuar nëse kontaminimi i ujit vijon.