E gjithë lugina e Shkopetit ka një pamje panoramike që mahniten jo vetëm ata që kalojnë për herë të parë aty, por edhe të tjerët që kalojnë çdo ditë.

Megjithëse i gjithë aksi është pastruar disa herë nga aksionet e zhvilluara nga Bashkia e Matit çdo të premte të fundit të muajit, situata mbetet problematike. Edhe në trase janë rihedhur mbeturina që duket qartë se janë bërë nga drejtuesit e mjeteve apo pasagjerët që udhëtojnë në këtë rrugë.

Por më problem paraqitet situata në disa pika ku hedhja e mbeturinave të dnryshme është bërë në masë të madhe. Këto mbetje që shihni janë në kufirin ndarës mes Kurbinit dhe Matit. Mbetje nga më të ndryshme kanë përfunduar deri buzë liqenit e duket qartë që janë hedhur nga biznese, pasi udhëtarët nuk mund të hedhin një sasi të tillë.

Po ashtu, situata problematike paraqitet edhe tek burimi pak metra larg vendit të quajtur “Vabli”. Në anën e poshtme të këtij burimi mbeturinat po shtohen çdo ditë e më shumë. Këtu gjithçka duket qartë se janë hedhur nga udhëtarët të cilët ndalen për të pushuar apo në të shumtën e rasteve edhe për të mbushur ujë të cilin e marrin me vete. Bidona të shumtë plastik janë gati të përfundojnë në liqen.

Ky krim mjedisor i shkaktuar nga dora e njeriut në një Park Rajonal si ai Ulëz e Shkopet duhet të ndalet. E para duhen marrë masa nga autoritetet dhe e dyta, duhet që vetë ne të ndërgjegjësohemi për ta mbajtur sa më pastër.