Zonat rurale mbeten më problematiket sa i përket menaxhimit të mbetjeve të konsumit të përditshëm. Ky është një pirg me mbeturina në rrugën e fshatit Kalivaç në njësinë administrative Baz në bashkinë e Matit. Në mungesë të një kontejneri mbeturinash në fshat, banorët janë detyruar t’i hedhin mbeturinat aty edhe pse të vetëdijshëm që shkaktojnë një ndotje të madhe të mjedisit.
Ky grumbull mbeturinash ndodhet jo më larg se 500 metra nga rruga nacionale Skuraj – Burrel. në fshat mungojnë kontejnerët pasi nuk ka infrastrukturën e nevojshme për t’i tërhequr makineritë. Për këtë arsye, fshati ka mbetur i pambuluar me shërbimin e pastrimit. Megjithatë, kalimtarët thonë se duhet gjetur një zgjidhje në mënyrë që të shmangen ndotje të tilla të mjedisit.
Në fshatrat me rrugë të asfaltuara, bashkia e Matit ofron mbulimin me kontejner për mbeturinat e konsumit të përditshëm, por kjo nuk e ka zgjidhur gjithë problemin e mbajtjes pastër të mjedisit.