Bashkia e Klosit do të vendosë kontejnerët e mbeturinave në fshatin Suç të Njësisë Administrative me të njëjtin emër. Zv/kryetari i kësaj bashkie Armand Gjinaj në një intervistë për Mat Televizion tha se tashmë janë siguruar kontejnerët si dhe mjeti që do të bëjë të mundur tërheqjen e mbeturinave pasi ky shërbim tani e tutje do të bëhet nga vetë bashkia. Gjinaj u shpreh se problemi i ndotjes në fshatin Suç ka qenë një gangrenë e krijuar prej vitesh si dhe një kërkesë e banorëve ndaj pushtetit vendor. Zëvendëskryetari i Bashkisë së Klosit, Armand Gjinaj tha gjithashtu se bashkia ka marrë edhe peticionin me firmat e banorëve që kërkojnë shërbimin e grumbullimit dhe tërheqjes së mbeturinave, peticion i cili është realizuar në kuadër të zbatimit të projektit “Advokaci komunitare”. Nisur nga kjo ai premton që shumë shpejt do të ndërtohen sheshet e betonit ku do të vendosen më pas kontejnerët.
Sipas Gjinajt kontejnerët do të vendosen për gjatë rrugës nacionale e cila e ndan fshatin përmes, por edhe në dypika të tjera ku shtëpitë janë më të grumbulluara si dhe një kontejner pranë burimit të ujit tek “Shkëmbi i kuq”. Zgjidhja e problemit të ndotjes në fshatit Suç, po kërkohet që nga muaji Prill i këtij viti nëpërmjet zbatimit të projektit “Advokaci komunitare”, financuar nga Leviz Albania, njëprojekt iAgjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.