Kjo zonë e cila gjendet në vendin e quajtur Qaf Dushk në fshatin Kloskatund të Bashkisë së Klosit vijon të jetë e ndotur. Shqetësimi vjen nga banorët e zonës të cilët kërkojnë që rasti të bëhet publik. Pak kohë më parë në këtë vend ishin hedhur disa qen të ngordhur, por më vonë ata u groposën për të mos i lënë në sipërfaqe. Por jo vetëm kaq, prej disa vitesh po në këtë pikë janë hedhur pije të skaduara, duke u kthyer në një burim infeksioni për zonën.
Rasti më i fundit është i kësaj kafshe të ngordhur. Prej pak ditësh, persona ende të paidentifikuar kanë hedhur këtë kalë të ngordhur, i cili ka shkaktuar aromë të keqe dhe po kthehet në burim infeksioni për shkak edhe të rritjes së temperaturave ditët e fundit.
Banorët e Kloskatundit kërkojnë ndërhyjen e institucioneve përgjegjëse pasi rrezikojnë të infektohen nga prania e kafshës së ngordhur dhe përgjegjësit të vihen para ligjit.