Masivi me pisha në vendin e quajtur Qaf Dushk në fshatin Klos-katund të Bashkisë së Klosit është ndër zonat më të ndotura. Prej kohësh ky masiv me pisha ka shërbyer për depozitimin e mbeturinave të ndryshme që hidhen nga kalimtarë të rastit, por edhe subjekte tregtare që operojnë në Bulqizë.

Kanë qenë banorë të zonës të cilët e kanë faktuar këtë vazhdimisht pasi konstatonin automjete transporti që shkarkonin mbeturina në këtë hapsirë e cila mendohet se ishte edhe jashtë syrit të institucioneve.

Fakti tregon që edhe pse tashmë prej më shumë se një muaji trafiku i automjeteve që lëvizin drejt Tiranës, Klosit apo Burrelit është zhvendosur në segmentin e rrugës së Arbrit që kalon përmes fshatit Plan i Bardhë, në Qaf Dushk mbeturinat vijojnë të shtohen.

Siç duket nga pamjet, mbetjet janë të ndryshme por shqetësuese mbeten ambalazhet plastike dhe arkat e transportimit të peshkut. Institucionet përgjegjëse nnuk arritën të vendosin para përgjegjësisë ligjore asnjë individ apo subjekt i cili e ka shkaktuar ndotjen, ndonëse apeli i banorëve ka qenë i vazhdueshëm për ta bërë një gjë të tillë.