Ministria e Kulturës i është përgjigjur kërkesës tonë për informacion në lidhje me problemin e dëmtimit të urës së “Halilajve” në hyrje të fshatit Dars në Bashkinë e Klosit.
Në përgjigjen zyrtare Ministria thotë se është evidentuar problemi i dëmtimit të shtresës së dytë të urës e cila është prej kalldrëmi, nga specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë i cili administron dhe monitoron monumentet e kulturës edhe në Qarkun Dibër. Në shkresën që mban numër protokolli 3647/1 datë 23 Shtator 2020, thuhet se nga ana e specialistëve të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë është realizuar hartimi i projektit të restaurimit, ku parashikohen ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese në të gjithë objektin, punime në territor si dhe plotësimi i sinjalistikës orjentuese. Ky projekt pritet të shqyrtohet për miratim nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale brenda muajit Shtator 2020, e më pas do të vijojë zbatimi i tij.
Ndërkohë gjendja e urës 300 vjeçare Monument Kulture i Kategorisë së I-rë shpallur që në vitin 1997, vijon të mbetet e njëjtë, ndërsa pritet ndërhyrja e specialistëve për ta restauruar.