Të dielën e 23 Shkurtit do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 24 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ekipi i Burrelit do të përballet me ekipin e apolonisë së Fierit në një tranfertë të vështirë për djemtë e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj. Megjithatë, për këtë të fundit nuk është aspak e vështirë që skuadra e tij të kthehet në Burrel me tri pikë të plota. Bicaj shton se djemtë janë në formë të shkëlqyer dhe se humbja e një jave më parë ndaj Korabit të Dibrës nuk i ka demoarlizuar për të arritur një tjetër fitore të rëndësishme që do të bëntë të mundur vijimin e objektivit për të qenë në katër ekipet më të mira të kësaj kategorie. “Formacioni do të jetë i plotë dhe se gjithçka është gati për përballjen e së dielës” – tha mes të tjerash Bicaj.
Të gjitha takimet e javës së 24 do të nisin në orën 13 e 30 minuta. Aktualisht Burreli mban vendin e katërt me 37 pikë, ndërsa Apolonia ndodhet në vendin e 8 në kuotën e 29 pikëve. Edhe këtë javë Vora mbetet në vendin e parë me 57 pikë, ndjekur nga Flamurtari me 55 pikë. Tabela mbyllet me Valbonën dhe Erzenin përkatësisht me 13 dhe 8 pikë në 23 javë kampionat.