Ka përfunduar ndërtimi i murit mbrojtës në Shkopet në afërsi të vendit të quajtur ish-sektori C. Firma mirëmbajtëse ka bërë të mundur që brenda një kohe të shkurtër të rikthejë rrugën funksionale, duke rihapur qarkullimin për të gjithë llojet e automjeteve. Firma ndërhyri për të ndërtuar këtë mur mbështetës për shkak se rrezikonte e gjithë rruga të shembej e të përfundonte në liqenin e Shkopetit.

Momentalisht ka përfunduar vetëm muri prej betoni, ndërsa është hedhur dhe’ e zhavor në hapsirën boshe në mënyrë që të krijohet bazamenti për të hedhur më pas asfaltin.

Burime pranë firmës thanë se pavarësisht hapsirës së kufizuar në këtë segment mund të qarkullojnë të gjitha llojet e automjeteve pasi nuk ka më asnjë rrezik që të shembet rruga.

Ndërkohë, vijon të jetë sinjalistika për ngushtimin e karrexhatës në mënyrë që drejtuesit e automjeteve të mos përballen direkt me grumbujt e dherave që janë vendosur në anën e karrexhatës ku janë kryer punime.

Pasi të përfundojë procesi i nënshtresave të rrugës, kjo pjesë do të shtrohet me asfalt dhe mjetet do të mund të qarkullojnë normalisht në të dy kahet e lëvizjes.

Muri kishte nisur shembjen disa vite më parë, por ndërhyrja erdhi vetëm pas kronikave të njëpasnjëshme sensibilizuese në “Mat Televizion”, pasi rrezikohej të shembej e gjithë rruga.