Kur dukej se punimet ishin në rrugën e duhur dhe se stadiumi po merrte formën për të pritur ndeshjet e Kombëtares, punimet aktualisht janë ndërprerë si pasojë e aksidentit të pak ditëve më parë ku një prej punëtorëve fatkeqësisht humbi jetën pasi ra nga lartësia.
Ditën e sotme, inspektorja e zyrës së punës Irena Gjoka, bëri të ditur se punimet në kantier do të ndërpriten deri në momentin kur të përfundojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet që çuan në aksidentin fatal për punëtorin.
Në këtë mënyrë punimet të cilat ishin duke ecur me ritme të shpejta kanë ndaluar, pa pasur një afat konkret për rifillimin e tyre.
Gjithashtu, në hetim pritet të vihet edhe kompania që ka marrë përsipër ndërtimin e stadiumit, ndërkohë që nuk dihet ende nëse hetimi i ngjarjes do të çojë më pas në vonesën e inaugurimit të Arenës Kombëtare, e cila pritej të niste aktivitetin në muajin qershor.