Reshjet e borës të nisura që të dielën janë ndërprerë në Bulqizë e Dibër duke i lënë vendin kthjellimeve. Por kjo nuk e ka ndryshuar situatën në këto dy bashki pasi temperaturat e ulta, nuk kanë lejuar që bora e rënë të shkrihet shpejt. Banorët e shumë fshatrave të thella janë ende të zioluar pasi trashësia e borës shkon deri në 80 centimetra. Megjithëse rrugët kryesore të njësive administrative janë hapur, ato të fshatrave ende jo, duke bërë që mijëra banorë të mos kenë mundësi të lëvizin me automjete drejt qendrave urbane. Banorët shprehen se për shkak se dëbora është në sasi të madhe në të gjithë territorin, hapja e rrugëve njëherësh është e pamundur. Disa rrugë janë hapur vetëm me një sens lëvizjeje çka ka krijuar problem në lëvizjen normale të automjeteve.
Por pasojat e kësaj bore nuk janë vetëm në bllokimin e rrugëve në këto dy bashki. Prania e saj shoqëruar me ngrica ka shkaktuar dëme të shumta në frutikulturë. Temperaturat pritet të zbresin deri në – 5 gradë Celsius mbrëmjen e sotme, çka për banorët do të jetë fatale për të gjitha pemët që janë të lulëzuara. Banorët e Bulqizës thonë se kjo do të ndikojë ndjeshëm në rendimentin e prodhimit.
Ndërkohë, situatë e njëjtë paraqitet edhe në Bashkinë Dibër, ku dhjetra fshatra janë ende të izoluar nga bora e rënë dy ditët e fundit.