Ndalimi i reshjeve të borës që ranë një ditë më parë ja ka lënë vendin ngircave në Dibër e Bulqizë.
Rruga nacionale Peshkopi – Burrel – Tiranë qarkullohet paprobleme, ndërsa akset Ura e Çerenecit- Steblevë, Qafë Bualli- Krastë, Muhurr-Draj Reç, të kalueshme me zinxhirë. Rruga rurale Peshkopi-Lurë mbetet e bllokuar. Sipas informacionit të emergjencave civile në qark, rrugët kryesore të qendrave administrative Ostren e Trebisht Bulqizës dhe Selisht të Dibrës kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu tha se gjatë këtyre orëve ka patur edhe ndërprerje të energjisë elektrike, por që është rikthyer. Sa i përket rrugëve, Muliu u shpreh se pushteti vendor dhe firmat kontraktore të rrugëve në varësi të ARRSH janë të angazhuar për hapjen e tyre që qarkullimi i mjeteve t’i rikthehet nomralitetit.
Sipas sinoptikanëve mbrëmjen e sotme temperaturat pritet të zbresin deri në -8 gradë Celsius ç’ka pritet të shkaktojnë ngrica dhe akull në zonat ku ka prani të dëborës.