Futbolli shqiptar ka humbur sot një tjetër personalitet. Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Robert Jashari, ish-futbollisti i njohur i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe i Partizanit në vitet 1950-60.
Jashari ka hyrë në histori edhe për faktin se ka shënuar golin e parë të Shqipërisë në eliminatoret e një Kampionati Botëror, në Belfast kundër Irlandës së Veriut në vitin 1965. Jashari ka fituar trofeun “Këpuca e Artë “ për 3 sezone radhazi, si golashënuesi më i mirë ne edicionet 1962-65 dhe ka dhënë kontribut të veçantë edhe në fushën e trajningut, ku ka drejtuar me sukses disa skuadra. Në vitin 2016, FSHF e ka nderuar Robert Jasharin me titullin “Legjenda e futbollit shqiptar”.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka shprehur trishtimin për ndarjen nga jeta të Jasharit, duke vlerësuar kontributin e tij në futboll.
“Kjo e shtunë nisi me një lajm që na hidhëroi shumë. Është ndarë nga jeta Robert Jashari, ish-futbollisti i njohur i ekipit kombëtar të Shqipërisë dhe i Partizanit në vitet 1950-60.
Një personalitet me shumë vlera që do të na mungojë të gjithëve, do t’i mungojë futbollit shqiptar.
Dua t’i shpreh ngushëllimet me të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Robert Jasharit. Kujtimi i tij do të mbetet i paharrueshëm. U prehtë në paqe!”, – tha Presidenti Duka.
Në Burrel, për vajzën. E pranoi ftesën e ardhur nga klubi i “31 Korrikut”, edhe pse skuadra matjane luante në Kategorinë e Dytë, por me një kusht: T’i siguronin vajzës së tij të drejtën e studimit Gjuhët e Huaja, të mohuar në vite. Shumë mik me Hysen Shahun, njeriu që e mbështeti sportin, ndërtoi stadiumin në këtë qytet, nisi gjithçka nga e para: Me vullnet e pasion, me egon që e karakterizonte, katër vite të paharruara (1980-’84) dhe skuadra si asnjëherë në të kaluarën, arrin të luajë në elitën e futbollit shqiptar në Kategorinë e Parë. Janë vitet e lavdishme të “31 Korrikut” surprizë, skuadra Farukut&CO, tronditën klube me histori, madje duke sfiduar këdo. Dhe trajner ishte Bert Jashari. Bashkë me triumfet, pas fjalës së dhënë e premtimit të marrë, edhe vajza siguroi arsimin e lartë