Shuhet ikona e muzikës popullore matjane, Feride Kurti. Ajo erdhi në tribunën e këngës, kur për këngën kishim shumë uri. Ishte vajza e parë matjane, që merrte atë guxim. Shpërtheu shpirti i saj, zëri që gjer atëherë na kishte munguar. Paralajmëronte ai zë mbërritjen e këngëtares që do ta bënte më të njohur Matin në gjithë Shqipërinë e do të çonte në këmbë qindra e mijëra njerëz në kalanë e Gjirokastrës, në Pallatin e Kulturës të kryeqytetit, në fshatra e qytete, anembanë vendit.

Një mal me këngë për luftrat e lirisë, një gjerdan me këngë lirike matjane, që janë të rralla për meloditë dhe vargjet e ndjera, pruri e përcolli ndër viteve Feride Kurti. “Çaheshin” radiot kur këndonte Feride Kurti këngën “Cucë e bukur moj matjane”, “A e mban mend e vogël-o”, “Valëzat e Liqenit”, “Ndalu mbret se k’tu s’asht Roma” dhe mbi gjashtëdhjetë këngë të tjera që ruhen në fondin e artë të Radio Tiranës dhe TVSH-së. Jeta për Feride Kurtin ishte kënga.

Ndryshe ajo nuk do të bëhej aq e kërkuar në katër anët e vendit, madje edhe jashtë atdheut. Do të vinte një ekip nga Radio Televizioni i Prishtinës, të qëndronte disa ditë në Burrel për të regjistruar këngën e Feride Kurtit kushtuar heroit të popullit Vasil Laçi dhe disa këngë të tjera folklorike.
Të ngresh një mal me këngë dhe të koperosh jo pak vështirësi e halle, do të thotë të jesh një grua e jashtëzakonshme, gjë që ndodh rrallë. Dhe vërtetë në Mat Feride Kurtin e zgjodhën për model dhjetra vajza matjane të talentuara, por megjithatë ajo nuk u arrit dhe mbeti e papërsëritëshme.
Duke i parë me një vështrim dhe më të gjerë vlerat e këngëve të Ferides na dalin në takimin e kujtesës edhe simotrat e saja në rrethe të tjera të vendit tonë, të mirënjohura në përjetimin e këngëve popullore, perla, që edhe sot janë më të pëlqyerat nga të gjitha moshat. Ato luajtën një rol të madh në prezantimin e Shqipërisë edhe para opinionit artëdashës të Ballkanit, Europës dhe më gjerë.
Ka qenë Radio Kukësi, institucioni që këngët e Ferides i ka përcjellë për shqiptarët matanë Drinit, në Kosovë e Maqedoni dhe përtej liqenit të Shkodrës, Radio Shkodra, në Mal të Zi. Shovinistët serb tërboheshin nga ato këngë, por nuk mund t’i ndalonin, ngaqë s’e kishin atë fuqi.
E thjeshta, si njerëzore dhe e madhja, si këngëtare, Feride Kurti “qëndisi” për Matin një gjerdan me këngë popullore. Sa herë do t’i dëgjojmë ato këngë, apo t’i sjellim në kujtesë ata vite të zhvillimit të vrullshëm, të veprimtarive kulturore artistike të Burrelit do të themi: “Ah, kur këndonte Feride Kurti!”

Aktiviteti i Feride Kurtit lidhet ngushtë me orkestrinën popullorematjane, e cila shoqëroi për dekada me radhë këngët e kënduara prej saj. Kompozitorë dhe krijues që punuan për repertorin e saj, ku lanë gjurmë të arta me këngët e bukura matjane të karakterit popullor dhe qytetar si, “Ditë korriku ’31”, “Cucë e bukur moj matjane”, “Skuadër komandante”, “Më ka zan’ maraku me nji cucë matjane”, “Për ty cucë matjane” etj, që kapin shifrën mbi dhjetë këngëve të kënduara këtu nga Feride dhe Vera Kurti. Për meritën e tyre e renditën Matin disa herë në vende nderi. Këto këngë gjysëm shekullore edhe sot qëndrojnë të freskëta. Dhe më pas dy këngë popullore me motive matjane, “Kënga e liqenit të Ulzës” dhe “Laçi, Bruçi dhe Uraka”, të cilat u kënduan në festivalin folklorik në Elbasan. Këtu Feride Kurti la mbresa të thella në publikun elbasanas.
1967 Në Lezhë përkujtohej 500-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Për nder të kësaj ngjarjeje u zhvillua këtu edhe festivali folklorik kombëtar. Ferideja u paraqit në këtë festival më këngën “Cucat zenishtare”, me të cilën u vlerësua me çmim të parë.

17 janar 1968 U zhvillua Konferenca Albanologjike ku morën pjesë studiues nga Ballkani dhe Europa. Për nder të tyre u dha një koncert i madh festiv ku këndoi edhe Ferideja.

1969 Për nder të festave të 28-29 Nëntorit, nën shoqërimin e orkestrinës sonë para publikut tiranas, Ferideja la mbresa të thella me “Këngë për Isuf Plloçin”.
Më 1971, këngë për Feriden, por ato që u pritën më mirë qenë ”Po pyet bota për Shqipërinë” dhe “Në mes të stuhisë shkëlqen Shqipëria”, të cilave Ferideja iu ngriti vlerat duke u vlerësuar maksimalisht në festivalin e ushtrisë.
Më 1976, “Lufton Mati për liri”, e cila u vlerësua shumë. Feride Kurti këndoi këngë, nga të cilat veçohen “Këngë për Vasil Laçin”, “Hej bre Dibër zemër madhe”, “Haxhi Zgjuni”, “Zëri i trimave të Kosovës”, “Hapet libri me kujtime” etj. Një pjesë prej këtyre këngëve janë të inçizuara në Radio Tirana.
1978 Festivali i tretë i folklorit në Gjirokastër, Feridja këndoi këngën “Këngë për Ushtrinë” që u vlerësua me çmim në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
Feride Kurti ka mbi dyzet këngë të shoqëruara nga orkestrina popullore e Matit, krijuar nga autorë matjanë, pa llogaritur këngë të autorëve të tjerë. Fatkeqësisht gjysma e tyre nuk janë të regjistrura në fonotekën e Radio Televizionit për arsye subjektive. Këngët që ka kënduar Feride Kurti ishin këngë epike dhe lirike, me një shtrirje vokale maksimale, që deri më sot nuk ka mundur t’i këndojë ndonjë tjetër në Mat ashtu si ajo. Në këtë kontekst, mbetet një këngëtare e paarritshme në Mat e më gjërë, për natyrën e saj.

Më 22 korrik 2023, ikona e muzikes matjane Feride Kurti ndërron jetë, por emrin dhe veprën e saj Mati dhe e gjithë Shqipëria do ta nderojnë gjithmonë.

“Mat Televizion” I shpreh ngushëllime të afërmëve të saj!

I përjetshhëm qoftë kujtimi I Feride Kurtit!