Pas përfundimit të ndërtimit të pallatit nga Enti Kombëtar i Banesave në bashkëpunim me Bashkinë Mat, është bërë këtë të mërkurë ndarja e apartamenteve atyre familjeve që kanë aplikuar pranë Bashkisë Mat për t’u trajtuar dhe përfituar nga programi social i banesave me kosto të ulët. Për të bërë ndarjen e përfituesve sipas kritereve ligjore është zgjedhur hedhja e shortit për secilin apartament. Nga ky short, 15 familje përfituan apartamente 2+1, dhe 10 familje përfituan apartamente 1+1. I pranishëm në ndarjen e këtyre aparamenteve ishte vetë kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj si dhe Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa. Malaj tha se përfituesit janë përzgjedhur sipas kritereve ligjore në fuqi.
Ndërsa Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa tha se pas ndarjes së të këtyre apartamenteve tek familjet që i përfituan, do të nisë puna edhe për ndërtimin e dy godinave të tjera për banesa sociale.
25 familjet matjane që përfituan apartamentet e tyre përmes programit të banesave me kosto të ulët, një program ky i Entit Kombëtar të Banesave në bashkëpunim me Bashkinë Mat, morën këtë të mërkurë çelësat e banesave të tyre.