t Rrugët e fshatit Dars në Bashkinë e Klosit po kthehen gati të pakalueshme si pasojë e mungesës së investimeve në to. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen se rrugët e këtij fshati, duke përfshirë edhe rrugën kryesore të tij, nuk po mirëmbahen. Ata shprehen se i paguajnë çdo detyrim shtetit jo vetëm për makinat, por edhe taksat e tjera, ndërsa askush nuk ju shërben. Të vetmet segmente lehtësisht të kalueshme janë ato të shtruara dy vite më parë me beton. Disa nga maloret bashkia i bëri me beton, duke zgjidhur problemin pjesërisht. Por banorët shprehen gjithashtu se drejtuesit vendor kanë shkuar aty vetëm për fushata elektorale, ndërsa më pas nuk duken më pranë banorëve. Shumë rrallë hidhet ndonjë makinë zhavor por që nuk e zgjidh problemin përfundimisht. Banorët e Darsit kërkojnë ndërhyrjen e Bashkisë pasi në këtë mënyrë ata nuk mund të lëvizin lirshëm me mjetet e tyre edhe pse tani jemi në stinë të thatë.