Mati, më 2 shtator 2023, u bë kryeqendra kombëtare e poezisë. Për të shtatin vit radhazi Klubi letrar “Pjetër Budi”, Mat, organizoi në qytetin e Burrelit, Festivalin gjithëkombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”.

Përveçse nga Mati morën pjesë poetë nga gjithë trojet shqiptare e diaspora, si nga Durrësi, Tirana, Shkodra, Kukësi, Dibra, Lezha, Fieri, Korça, Devolli, Prishtina, Gjakova, Prizreni, Podujeva, Deçani, Tetova, Kërçova, Gostivari, Suedia dhe Italia, si dhe të ftuar ishin drejtues të qeverisjes vendore, studiues, historianë, media etj..

Të ftuarit fillimisht bënë homazhe, si dhe u vendosën kurora me lule pranë bustit të poetit të parë shqiptar, Pjetër Budit, nga kryesia e Klubit letrar “Pjetër Budi” Mat dhe Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Më pas veprimtaria u zhvendos në sallën e Festivalit, ku kryetari i Klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat, Hamdi Hysuka, në fjalën e mirëseardhjes, midis të tjerash tha se ky festival bashkoi më të mirët e fjalës së bukur dhe arriti të përkrahë e motivojë krijuesit e të gjitha moshave:

Festivali, “Muza Poetike Budiane” 2023, u zhvillua nën moderimin e anëtarëve të kryesisë së klubit letrar matjan, n/kryetares Lindita Doda dhe sekretarit Fatmir Neli, që prezantuan 45 poetët  konkurues, por më parë përshëndetën pjesëmarrësit me nga një poezi të tyre:

Takimi kombëtar letrar nisi fillimisht me promovimin e dy librave: vëllimin poetik “Hije ëndrre” i poetes matjane Adivije Hoxha, për të cilin referoi Shpendi Topollaj, dhe udhëpërshkrimin “Jehona e valëve të jetës”, i poetes Trandafile Molla (Baja), për të cilin referoi poeti dhe gazetari Fatmir Neli.

Deklamimi i poezive nga 45 poetët konkurues u shoqërua edhe me numra artistikë përshëndetës nga instrumentisti i Ansamblit “Mati” Adriatik Aliaj dhe rapsodi e krijuesi matjan Shefqet Merra, që i dhanë nota edhe më festive këtij festivali:

Në përmbyllje të Festivalit të 7-të mbarëkombëtar poetik Kryesia e Klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat, dha këto çmime letrare: “Çmimi i Poetëve” – për poeten Migena Arllati nga Gjakova; Çmimin letrar “Pjetër Budi” – për poetin Ramë Oraca nga Podujeva; “Çmimi i karrierës” – për poetet Adivije Hoxha dhe Adile Baleta, nga Mati; çmimin “Anëtar Nderi” i klubit letrar matjan – për prof. dr.  Ejup Hajdini, Tetovë; si dhe Certifikatë Mirënjohjeje për “Mat Televizion” “Për kontributin e vazhdueshëm në promovimin e krijimtarisë letrare të autorëve matjanë dhe bashkëpunimin e frytshëm me Klubin Letrar “Pjetër Budi” Mat, në pasqyrimin e veprimtarive letrare me karakter lokal e gjithëkombëtar”.

Ndërsa Juria e Festivalit të 7-të “Muza Poetike Budiane” 2023, e përbërë nga anëtarët: Kujtim Stana, poet i mjaft vëllimeve poetike nga Mati; Vera Istrefaj, kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kukës; dhe kryetar Jurie, prof. dr. Shyqyri Galica, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ndau këto çmime letrare: Çmimi “Zëri i ri poetik” për poeten Rubjana Nika; Çmimi i tretë për poetët Zyrafete Kryeziu, Lulzim Hajdari dhe Mevlud Buci. Çmim të dytë për poetët Haqif Heta dhe Rajmonda Qose. Ndërsa Çmimin e parë “Muza Poetike Budiane” 2023 e fitoi poeti nga Durrësi, Shpendi Topollaj, me poezinë “Në Athinë, në autobusin urban”:

Pas atmosferës së ndarjes së çmimeve, organizatorët shtruan drekë në një nga lokalet e qytetit Burrel.

Ndërsa të ftuarit e nderit të këtij festivali, kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, si dhe aktivistja e të drejtave të Njeriut në Kosovë, ish-luftëtarja e UÇK-së dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ndanë këto opinione për Festivalin e 7 “Muza Poetike Budiane” 2023:

Festivali i Poezisë “Muza Poetike Budiane”, që organizohet nga Klubi Letrar “Pjetër Budi” Mat, prej 7 vitesh e kanë kthyer Burrelin në kryeqytetin e poezisë mbarëkombëtare shqiptare duke mbledhur poetë-pelegrinë nga të gjithë trojet shqipfolëse e diaspora.