Pak ditë më parë vendi ynë fqinj, Greqia, u përball me përhapjen e sëmundjes së murtajës tek të imtat. Nisur nga kjo, Shqipëria bllokoi importin e mishit apo të kafshëve të gjalla si delet e dhitë. Por jo vetëm kaq, në vendimin e Ministrisë së Bujqësisë është ndaluar importi edhe nga Bosnje-Hercegovina, Gjermania, Ukraina dhe Turqia. Për fat të mirë në vendin tonë nuk është regjistruar asnjë rast me murtajë në kafshë. Edhe në Mat situata është e qetë. Mjeku veteriner, Sefer Elezi thotë se me gjithëse nuk ka raste të evidentuara, fermerët dhe strukturat nuk duhet të jenë pasiv për situatën. Kjo pasi sa më shpejt të identifikohet sëmundja, aq më i vogël do të jetë dëmi që mund të shkaktojë.

Prej javësh sëmundja e murtajës tek ripërtypësit e vegjël, si delet e dhitë, po shkakton dëme në shtetin e Greqisë dhe Rumanisë. Situata më e rëndë paraqitet në fiqnjin tonë jugor ku deri tani të paktën 8000 krerë të imta janë groposur pasi ishin prekur nga murtaja në disa ferma.