MURALET E BLEDAR ÇAKALLIT, PO DËMTOHEN NGA MUNGESA E MIRËMBAJTJES SË URËS SË BULQIZËS
Tre vite më parë, artisti Bledar Çakalli do të pikturonte në murin e urës që lidh dy lagjet e qytetit të Bulqizës, portrete e ngjarje me rëndësi historike të vendit tonë. Mes veprave të realizuara nga artisti ishte Eksodi çam 1944 – 1945, Portreti i Skënderbeut, i Elez Isufit e figura të tjera të shquara të krahinës. Por kohët e fundit, disa nga këto vepra po zhduken, jo për shkak të cilësisë së punimit, por për mungesë të kanaleve kulluese mbi urë. Siç duket nga pamjet, të gjithë ujërat e shiut që vijnë nga lagjja e re e qytetit të Bulqizës, shkarkohen mbi këto grafika artistike, të cilat gradualisht po i zhdukin. Qytetarët kërkojnë më shumë përgjegjshmëri nga pushteti vendor, i cili nuk ka paguar asgjë për to, por të paktën t’i mirëmbajë. Artisti Bledar Çakalli njihet për murale të tilla, të cilat i ka bërë thuajse në çdo qytet të Shqipërisë, vepra të cilat mbeten në memorien e çdo udhëtari që i sheh.