Detaje të reja nga aksidenti në Krastë, 40-vjeçari banor i Burrelit humbi jetën pasi mjeti doli nga rruga dhe ra në humnerë

Detaje të reja nga aksidenti në Krastë, 40-vjeçari banor i Burrelit humbi jetën pasi mjeti doli nga rruga dhe ra në humnerë

Një aksident tragjik është shënuar mesditën e kësaj të mërkure në aksin rrugor Qaf Buall – Krastë. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:45, në aksin rrugor Bulqizë–Krastë, ku shtetasi A. B., 40-vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga duke rënë 200 metra në humnerë. Për pasojë, shtetasi A. B. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes u nis grupi hetimor i cili vijon punën për përcaktimin e saktë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Për shkak të terrenit tepër të thepisur, nxjerrja e trupit të pajetë të 40-vjeçarit ka qenë e vështirë, teksa nga rrokullisjet kishte mbetur në mes të shpatit të greminës. Ndërsa automjeti kishte përfunduar në përrua. Vendi i aksidentit është në rrugën kryesore e cila po i nënshtrohet një investimi që ende nuk ka përfunduar. Prania e madhe e zhavorrit në këtë rrugë është bërë burim aksidenti për shumë automjete. Banorët e Martaneshit kanë kërkuar vazhdimisht asfaltimin e saj por procedurat e tenderit ende nuk kanë përfunduar.