Mungon tregu i shumicës, dibranët të detyruar të shesin në rrugë

Bora e rënë me 1 Prill ka bërë që qershitë në Dibër të mos kenë prodhimin e pritshëm nga kultivuesit. Ata shprehen se prodhim ka më pak, por çmimi për momentin është më i mirë se i vitit të kaluar. Por prodhuesit vijojnë të ankohen për mungesë të tregut të shumicës. Për këtë, ata përdorin rrugën nacionale Peshkopi – Bulqizë për të shitur prodhimet e tyre. Blerim Kryemadhi thotë se shteti nuk po ndjek politika mbështetëse për të stimuluar tregjet e shumicës, ndaj detyrohen të shesin në rrugë. Një tjetër tregtar thotë se asnjë mbështetje nuk ka marrë nga shteti, sidomos kur ju dëmtohet prodhimi. Megjithatë, ai shprehet se kjo është mundësia që ka zgjedhur të sigurojë të ardhura ekonomike bashkë me familjen e tij. Në Dibër janë mbi 300 hektar tokë të kultivuara me qershi.