Prej dy javësh banorët e Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës janë pa ujë të pijshëm për shkak të ndotjes që pësoi rrjeti i ujësjellësit. Autoritetet ende nuk kanë dalë me një vendim që banorët ta përdorin për konsum pasi uji vijon të jetë i ndotur. Nënprefekti i Bulqizës, Avni Muliu tha se çdo ditë merren kampione uji në burim për tu analizuar në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë. Muliu u bëri apel banorëve që furnizohen nga ky ujësjellës që të mos e konsumojnë ujin por ta përdorin për nevoja të tjera.

  Dhjetra banorë të Gjoricës përfunduan në spital në fillim të këtij muaji pasi patën probleme shëndetësore si pasojë e konsumimit të ujit të rrjetit të ujësjellësit. Dyshohet se ndotja është bërë në veprën e marrjes në fshatin Tuçep ku pak metra më larg ujërat e zeza të fshatit Ostren i Vogël janë hedhur në veprën e marrjes së një hidrocentrali. Për këtë ngjarje prokuroria e Dibrës ka proceduar penalisht administratorin e HEC-it.