Ndalesa e rdhës e ciklit të reportazheve në promovim të turizmit është lagjja piktoreske e Msuçit në Njësisë Administrative Derjan ku hyrja për në këtë destinacion bëhet nga Qafa e Shënkollit në afërsi të Dukagjinit. Pikërisht këtu ndodhej kisha e Shënkollit ku dhe u mbajt “Kuvendi i Dukagjinit”. Më pas gjat rrugëtimit për në qendër të fshatit, në mes të një masivi me lisa ka qenë një tjetër kishë e njohur si kisha e Shën Teodorit apo siç e njohin banorët e zonës, kisha e ishtotrit. Në këtë vend, shenjat e kishës janë pothuajse të padukshme për shkak se nuk janë bërë gërmimet e nevojshme për të hedhur më shumë dritë mbi të. Mes këtij masivi me drurin e Lisit gjenden shumë varre, mes të cilëve njëri prej tyre konsiderohet si varr i mirë nga banorët. Ata e vizitojnë shpesh dhe lënë diçka aty për të patur fat të mirë. Besohet se në këtë kishë janë ushqyer të gjithë kuvendarët që morën pjesë në “kuvendin e Dukagjinit.
Teksa futesh përmes Msuçit, e fundit në vargun e kishave është ajo e Eufemisë ku edhe kjo nga banorët njihet si Shën Maria. Rrënojat e kishës ndodhen në majën e Kepit të Gërshotit që ndodhet mbi fshatin Prell. Në literaturë kjo kishë emërtohet si kisha e Prellit. Ndryshe nga dy kishat e tjera, tek kjo kishë ka ende gjurmë. E pozicionuar në majë të kepit të Gërshotit kësaj kishe i kanë mbetur ende muret e jashtme dhe të dhomave të brendshme.
Por përveç historisë shekullore e ndoshta mijëra vjeçare, kjo zonë ofron një bukuri të jashtëzakonshme natyrore. Vetë pozicioni gjeografik i tij e bën atë të veçantë. Ai ndodhet në lartësinë 700-800 metra mbi nivelin e detit. Në çdo pikë të Msuçit, pamja është mahnitëse, me malin e Dejës në lindje, kaninonet e Gjoçajve, pamjen e luginës së Matit, Liqenin e Ulzës e madje syri i lirë shkon deri në qytetin e rrëshenit.
Rasim Hysneli, banorë i Msuçit është rikthyer aty duke restauruar banesën e tij të cilën e viziton shpesh. Rasimi na tregon se nga fshati janë larguar shumë banorë, por që vitet e fundit janë rikthyer duke investuar.

Në këtë zonë gjendet një ndër 3 masivet më të mëdha me gështenjë në Shqipëri. Inxhinjeri i pyjeve, Mehmet Rami na tregon se ky masiv gështenje nis në fshatin Rukaj e përfundon në Gjoçaj dhe ka një sipërfaqe prej rreth 250 hektarësh. Mehmeti tregon se kjo quhet bima e mbijetesës dhe ka një jetëgjatësi mijëra vjeçare.

Për botanistin profesor Lulëzim Shuka, pedagog në Universitetin Bujqësorë të Tiranës, kjo zonë është e pasur në botanikë me bimë të rralla që nuk gjenden kudo në vendin tonë.

Meqë tashmë ju njohëm me disa nga bukuritë e kësaj zone, ju mbetet juve të shkoni ta vizitoni.