Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, qarkullimi në Rrugën e Arbrit është bërë gati i pamundur këtë të shtunë ndërsa bypass-i i Qafë Murrizes, është bllokuar herë pas here. Borëpastrueset u vunë gjatë gjithë kohës në punë për hapjen e aksit nga balta më parë në fshatin Shkallë dhe më pas nga dëbora e dendur.
Si pasojë e vështirësive në qarkullim në Rrugën e Arbrit janë regjistruar dy aksidente paraditen e së shtunës. I pari u shënua në aksin rrugor të fshatit Fshat, që lidh Klosin me rrugën e Arbrit, ku një automjet është përplasur me mjetet e mirëmbajtjes së rrugës. Për pasojë, ka mbetur i plagosur rëndë pasagjeri i mjetit të vogël, i cili u dërgua me autoambulancë në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë. Gjithashtu, gazetari Dritan Kurti mëson se një aksindent tjetër është shënuar në byppasin e Murrizit, ku një makinë është përplasur me barrierën metalike dhe ka mbetur e bllokuar. Nuk dihet nëse ka të lënduar nga ky aksident.
Paraditen e së shtunës rruga e Arbrit ishte mbuluar nga balta që vijon të shembet nga mali prej tre ditësh në fshatin Shkallë, duke penguar qarkullimin e automjeteve. Ndonëse punohet vazhdimisht për pastrimin e inerteve që bien nga mali, ende situata vijon të jetë problematike pasi rrëshqitja nuk ndalet.
Për gjithë situatën e krijuar, Policia njoftoi ditën e shtunë drejtuesit e mjeteve se lëvizja nga Peshkopia drejt Tiranës do të kryhet nga aksi i vjetërKlos-Burrel-Shkopet. Si pasojë e reshjeve të dëborës, Komisariati i Policisë Rrugore në Tiranës, njoftoi se nuk do të lejojë të kalojnë në Rrugën e Arbrit, automjete pa goma dimërore dhe pa zinxhirë.