Monumentet e natyrës që mbrohen nga shteti në Bulqizë

Monumentet e natyrës që mbrohen nga shteti në Bulqizë

Veç monumenteve të kulturës të cilat zakonisht janë ndërtesa historike në vendin tonë ka edhe monumente natyre që mbrohen nga ligji. Një prej tyre është edhe “Qarri i Peladhisë” në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë Bulqizë. Ky lis i llojit Qarr i cili ndodhet në qendër të fshatit ka shërbyer historikisht si pikë e mbledhjes dhe kuvendeve që organizonin vetë banorët. Ndonëse në ditët e sotme më pak, ai vazhdon të jetë si një pikë takimi për të gjithë. Madje ka prej banorëve që orët e vapës i kalojnë nën hijen e tij. Hajdar Pasha dhe Sabri Plaku thonë se jo vetëm historik por ky lis Qarr është si një vend i shenjtë për fshatin Peladhi. Ata theksojnë se duhet më shumë kujdes jo vetëm nga banorët, por edhe nga Bashkia. Për ta mbrojtur sa më mirë, duhet pastruar nga degat e thata që ka ky lis shekullor. Monumente të tilla natyre janë të shumta në të gjithë Bashkinë e Bulqizës kryesisht pemë shekullore dhe që janë të mbrojtura si monumente të kategorisë së tretë.