Këshilli i Ministrave i hap rrugën ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës që do të jetë i vendosur në rrjedhën e sipërme të HEC-eve ekzistuese të kaskadës së lumit Drin.
Në mbledhjen e fundit qeveria miratoi kontratën për fazën e parë të projektit për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një vepër me rëndësi të veçantë për sektorin elektroenergjetik shqiptar që u nënshkrua në fillim të muajit korrik në Tiranë ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe kompanisë “Bechtel”, e cila është një ndër kompanitë më prestigjioze botërore në fushën e ndërtimit të veprave hidrike për prodhimin e energjisë elektrike.
Faza e parë e projektit përfshin punën përgatitore për kryerjen e studimeve, atij ambiental, teknik e social, për të kaluar më pas në fazën e dytë që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës.
Për hartimin e këtyre studimeve kompania thotë se do t’i duhen 18 muaj.
Ky projekt do të sigurojë optimizimin e Kaskadës së Drinit, eliminimin e përmbytjeve në zonën e fushës së Shkodrës dhe fushës së Lezhës, si dhe rritjen e sigurisë dhe eficiencës në veprat hidrike në HEC-et ekzistuese të kaskadës.
“HEC-i i Skavicës merr një rëndësi të madhe për Shqipërinë përfshirë këtu 210 megavat të shtuar të energjisë së pastër të ripërtëritshme dhe kontrollin e përmbytjeve sezonale.
Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, një projekt me interes kombëtar do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importimi i energjisë dhe do t’a pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin”, ka bërë të ditur më herët ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Diversifikimi i burimeve gjeneruese të energjisë elektrike është një kriter për vendin tonë, pasi aktualisht, prodhimi i energjisë në vendin tonë bazohet vetëm në burime hidrike