Ura e “Halilajve” e cila ndodhet në hyrje të fshatit Dars në Bashkinë e Klosit, një monument kulture i kategoris së parë, po degradohej dita ditës si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes.
 
Ura në fjalë mbart një histori 300 vjeçare dhe është e rrallë për stilin e saj arkitekturor. Por për fat të keq ajo nuk kishte mirëmbajtje, duke bërë që të rrezikohej konstrukti si pasojë e dëmtimit të shtresës së dytë prej guri.
 
Prej vitesh mungonte vëmendja e institucioneve përgjegjëse, ndërsa persona të papërgjegjshëm e kishin dëmtuar atë, duke rrezikuar një vepër me rëndësi të madhe historike e kulturore të zonës së Klosit.
 
Banorë të zonës e historian ngritën shqetësimin për rrezikun që i kanosej kësaj vepre. Ndërkohë në përgjigjet zyrtare për informacion, Bashkia Klos dhe Ministria e Kulturës, pranuan dëmtimin e kësaj ure, ndërsa premtuan ndërhyrje. Ministria e Kulturës u angazhua që nëpërmjet Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë e cila ka nën varësi edhe objektet e trashëgimisë kulturore në Qarkun Dibër, të bëjë restaurimin e objektit, duke ndaluar kështu edhe degradimin e mëtejshëm të tij.
 
Specialistët e kësaj drejtorie në bashkëpunim edhe me specialistët pranë Zyrës së Arsimit dhe Kulturës në Bashkinë Klos kanë bërë të mundur ditët e fundit që të riparohen të gjitha pjesët e dëmtuara të urës, duke përdorur material prej guri me të cilin edhe është e ndërtuar ura. Po ashtu është bërë pastrimi i të gjithë bimësisë e cila e kishte pushtuar atë dhe e bënte të “padukshëm” për kalimtarët apo vizitorët. Por megjithëse është bërë ndërhyrja restauruese, ende për këtë urë nuk ka një tabelë informacioni mbi historinë e saj për të gjithë turistët që mund ta vizitojnë, apo të jetë siguruar që të mos jetë lehtësisht e aksesueshme për të rënë pre e keqdashësve.

Dritan Kurti