Që prej Janarit të këtij viti, shpërblimet e lindjes për fëmijët jepen në ambjentet e materniteteve duke ja hequr këtë detyrim pushtetit vendor. Në kuadër të nismës për motivimin e rritjes së numrit të lindjeve tashmë shpërblimet janë 40, 80 dhe 120 mijë lekë të rinj. por pushteti vendor po përballet me një tjetër problem, atë të dhënies së shpërblimeve të lindjeve në periudhën Qershor 2016 – Dhjetor 2018. Ndërkohë edhe pse kanë kaluar afro dhjetë muaj të këtij viti, Ministria e Brendshme nuk ka dhënë fondet ndaj pushtetit vendor nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Në katër Bashkitë e Qarkut Dibër, janë 3905 fëmijë të cilët nuk kanë marrë ende shpërblimin e lindjes prej 5 mijë lekësh të rinj. në Bashkinë Dibër janë 1845 fëmijë, Bashkinë Bulqizë 895 fëmijë, Bashkinë Klos 527 fëmijë dhe Bashkinë Mat 638 fëmijë. Të kontaktuar nga Mat Tv, përgjegjësit e zyrave të financës dhe kryetarët e Bashkive thanë se i kanë dërguar shkresa zyrtare vazhdimisht Ministrisë së Brendshme për këtë problem, por ende nuk ju është kaluar fondi për të bërë më pas shpërndarjen tek fëmijët që sot janë nga 1 deri në 3 vjeç.