Presidenti i Republikës Ilir Meta është përplasur ashpër publikisht me ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim. Mbrëmjen e së premtes Meta ishte në studion e Syri Tv kur në një moment ka ndërprerë bisedën me gazetarët në studio dhe ka nisur të shkruajë një SMS në celular. Gazetarët e kanë pyetur me kë po bisedonte dhe Meta pranoi se ishte ambasadorja Yuri Kim.

“Tani LIVE sapo me shkroi ambasadorja Yuri Kim për të mos përmendur më sfurqet. I them ambasadores amerikane LIVE që të mos marrë më në mbrojtje Edi Ramën” – tha Meta me tone të larta. Gjatë gjithë intervistës Meta tha se ambasadorët e kanë marrë në mbrojtje Ramën.


“Nuk ka ambasadë që t’i bëjë strehë Kryerilindasit nëse preket vota! Sfurqet do jenë të dielën nëse preket vota. Nuk jam President i ambasadave, por jam Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe unë kam përgjegjësi për të gjithë Shqipërinë. Unë u kam bërë thirrje sot ambasadorëve gjatë takimit që pata në Presidencë, të reagojnë tani. Është tepër vonë nëse reagojnë të hënë pasi të jenë prishur zgjedhjet dhe të kemi destabilizim. Nëse derdhet një pikë gjaku, përgjegjës do të jetë Edi Rama” – tha Meta.

Por këto deklarata dukshëm kanë nxitur reagimin e menjëhershëm të ambasadores amerikane që në ato çaste ka publikuar një koment në faqen e saj në Twitter.

“Është e papranueshme për këdo që kërcënon se qytetarët do të marrin “sfurqet” në 25 prill ose nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë të dënohen. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi për rezultatet e fjalëve dhe veprimeve të tyre. Stop” – shkroi Kim.