Është mbledhur këtë të mërkurë këshilli i Bashkisë së Matit i dalë nga zgjedhjet lokale të 14 Majit. Sekretarja e këshillit Bashkiak Edlira Palamani fillimisht lexoi emrat e këshilltarëve që do të jenë pjesë e këshillit në këtë mandat 4-vjeçar, të çertifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

 Ashtu siç e parashikon ligji mbledhja e parë e Këshillit bashkiak u drejtua nga Këshilltari më i vjetër në moshë, i cili ishte Qazim Gjoni dhe procedura vijoi me zgjedhjen e komisioneve të përhershme si ai i mandateve dhe i votimit.

Të gjithë këshilltarët u betuan sipas leximit të formulës së betimit që e ngarkon ligji. Më pas këshilli vendosi të zgjedhë drejtuesin e tij mes dy kandidaturave, Altin Bojni nga Partia Sovialiste dhe Aranit Shpani nga Partia Aleanca Demokristiane. Kandidati Altin Bojni mori 17 vota, kandidati Aranit Shpani 1 votë dhe 3 vota të pavlefshme. Pas shpalljes së rezultatit, drejtimi i mbledhjes u bë nga Kryetari i Këshillit, Altin Bojni.

  Procedura vijoi më tej me zgjedhjen e nënkryetarëve. Grupi i Partisë Socialiste propozoi që të ishin 3 nënkryetarë. Pas procedurave të votimit për secilin nga nënkryetarët u zgjodhën: Zv/kryetar i parë nga Partia Socialiste Anila Stafasani 15 vota kundrejt Shefki Lezaj i cili mori 3 vota dhe të pavlefshme 3 vota, nënkryetar i dytë u zgjodh nga Partia Demokracia Sociale Everest Rruci me 14 vota kundrejt Klodjan Milkurti  i cili mori 2 vota dhe 4 vota rezultuan të pavlefshme, nënkryetar i tretë u zgjodh Hitler Kurti i Partisë Fryma e Re Demokratike me 13 vota, kundrejt Enea Gjyla e cila mori 3 vota dhe 4 vota ishin të pavlefshme.

Pas zgjedhjes së nënkryetarëve, këshilli kaloi në pikën e radhës e cila ishte për marrjen e detyrës zyrtarisht për një mandat të dytë 4-vjeçar të kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj. Kryetari i këshillit Bashkiak, Altin Bojni lexoi vendimin e gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Dibër mbi vlefshmërinë e mandatit të kryebashkiakut Malaj dhe më pas u lexua edhe teksti i betimit.

  Në ndjekje të ceremonisë së kostituimit të këshillit bashkiak dhe marrjes së detyrës nga kryebashkiaku Agron Malaj të pranishëm ishin edhe dy deputetët Aurora Mara e Lavdrim Krrashi, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, Nënprefekti i Matit, Hasan Pasha, Kryetarja e Bashkisë Klos e dalë nga zgjedhjet e 14 Majit, Valbona Kola, kryetari në detyrë i Bashkisë Klos, Ilmi Hoxha, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, familjarët e kryebashkiakut Agron Malaj, si dhe të pranishëm të tjerë.

Në fund deputetët Lavdrim Krrashi e Aurora Mara përshëndetën dhe u uruan suksese në detyrë kryebashkiakut Malaj dhe Këshillit të ri bashkiak Mat.