Merr fund pritja, nis rehabilitimi i plotë i rrugës Qaf Buall – Krastë

0
34

  Pritet të marrin fund vuajtjet e banorëve të zonës së Martaneshit sa i përket 16 kilometrave rrugë nga Qafa e Buallit deri në Krastë, e cila ishte kthyer në një gangrenë prej 34 vitesh.

Bashkimi i kompanive që kanë fituar zbatimin e projektit për sistemim – asfaltimin e kësaj rruge kanë nisur punën prej ditësh.

Zbatimi i projektit ka nisur nga Qafa e Buallit në drejtim të Krastës. Fillimisht po bëhet zgjerimi i trasesë ekzistuese për të vijuar më pas me proceset e tjera.

Ndërkohë, afati për të mbyllur punimet është 13 muaj që nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa pritet të mbyllen më shpejt për shkak se rruga ka thuajse në të gjithë gjatësinë gjerësinë e nevojshme dhe bazament.

Aksi rrugor Qaf Buall – Krastë është në pronësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa prej vitesh apeli i banorëve të Martaneshit ishte sistemimi dhe asfaltimi i kësaj rruge shumë të rëndësishme për ta.

Rruga në fjalë i shërben mijëra banorëve të Martaneshit si dhe shumë subjekteve minerare që operojnë në këtë zonë.