Policia e Kukësit ka bërë të mundur goditjen e një rasti të dhënies ndihmë për kalim të jashtëligjshëm të kufirit.

Në pranga ka përfunduar një 33-vjeçar, i identifikuar si Genjtian Laçi me banim në Dibër. Ky shtetas është konstatuar se në makinën e tij tip ‘Volkswagen’,  ishte duke transportuar drejt Kosovës dy emigrantë të jashtëligjshëm.

Ndalimi i9 tij u bë në vendin e njohur si Ura e Drinit të Zi, ndërkohë që për kalimin e emigrantëve ai do të përdorte kufirin e gjelbër.

Njoftimi i Policisë:

Goditet 1 tjetër rast i tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihet në pranga 1 shtetas. Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me DVKM Kukës, në vijim të operacionit policor të koduar “Morina”, si dhe në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit të paligjshëm të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, goditën një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi:

-G. L., 33 vjeç, banues në Dibër.

Ky shtetas u arrestua në flagrancë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Ura e Drinit të Zi”, duke transportuar me automjetin tip “Volksëagen”, 2 emigrantë të paligjshëm, për t’i kaluar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet kufirit të gjelbër, drejt Kosovës, kundrejt fitimit. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

Bulqizainfo