Me 25 Maj hapet skema për mbështetjen në bujqësi
Ministria e Bujqësisë më datën 25 Maj do t’i japë të drejtë fermerëve të aplikojnë për subvencionet e miratuara nga qeveria. Në dispozicion të bujkut shqiptarë janë vënë 52 milionë euro, nga të cilat 27 do të shkojnë për Skemën Kombëtare. Ndërsa 25 milionë euro i janë akorduar Skemës së Investimeve, ku në total 20 prej tyre I takojnë fermerëve që janë shpallur fitues që në vitin 2025, por që nga AZHBR fermerët e stabilimenteve kanë përfituar vetëm 30% e paradhënies. Një ndër përfitimet e kësaj skeme është edhe aplikimi për fermerët e rinj. Ata duhet të jenë nën moshën 40 vjeç si aplikant individual apo subjekt me status fizik/juridik. Për fermerë të rinj, për investime në ferma bujqësore dhe blegtorale, masa e përfitimit është në 70% e vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë të rinj. Nëse investimi lidhet me mbarështimin e kafshëve, shpendëve apo bletëve, ato duhet të jenë të regjistruara/matrikulluara para pagesës dhe me një numër jo më pak se: 5 lopë/mëshqera, 50 dele dhe/ose dhi, 5 dosa/paradosa për mbarështim, 25 koshere dhe 500 shpendë. Po ashtu kjo skemë përfshin edhe ndërtimin e strehimeve të kafshëve për lopë të imta, shpendë, dosa, ndërtimin e serave diellore për perime, rrush tavoline, manaferra dhe tuneleve për luleshtrydhe me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha dhe jo më shumë se 0.2 ha. Makineri/pajisje dhe mjete pune për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në funksion të aktivitetit bujqësor dhe/ose blegtoral. Mbështetje për të përmirësuar proceset e punës në teknologji të reja dhe inovacion, të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin, si prodhimi i energjisë nga burime të rinovueshme, dronët dhe mjetet dixhitale për bujqësi precize, në fermat bujqësore dhe/ose blegtorale. Të gjithë ata që janë të interesuar për këtë skemë, mund të marrin gjithë informacionin e nevojshëm pranë Zyrave të Ekstensionit Bujqësor në Mat e Dibër.