Një fëmijë 13 vjeçar dyshohet se është mbytur aksidentalisht pasditen e djeshme në liqenin e fshatit Shumbat në Dibër.

Trupi i pajetë i 13 vjeçarit me inicialet E.S është gjetur rreth mesnatës nga banorë të fshatit të cilët kishin dalë për ta kërkuar pas alarmit të dhënë nga familjarët e 13 vjeçarit që ai nuk ishte kthyer në shtëpi. Menjëherë është njoftuar edhe policia e Dibrës e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur kërkimet bashkë me banorët.

Banorët tregojnë ngjarjen se si e kanë gjetur, ndërsa dyshojnë se ai mund të jetë mbytur aksidentalisht pasi mund të ketë rrëshkitur në pjesën anësore të liqenit e cila është prej betoni.

Por ky nuk është rasti i vetëm pasi banorët tregojnë se edhe më parë në këtë liqen janë mbytur edhe 2 fëmijë të tjerë të moshave 14 e 15 vjeç.

Policia e Dibrës ka nisur hetimet për rastin e fundit për të zbuluar nëse 13 vjeçari ka patur arsye të tjera apo është mbytur vërtetë aksidentalisht.