Në aksin kantier i rrugës së Arbrit nga fshati Murrize i Njësisë Administrative Xibër deri në fshatin Fshat të Bashkisë Klos, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve veç atyre të firmës së ndërtimit. Vendimi nga firma është marrë pak ditë më parë pasi në këtë segment rrugor po punohet intensivisht për ta shtruar me asfalt si dhe duke ndërtuar veprat e artit në të.

Një tjetër arsye është edhe një aksident i ndodhur pak ditë më parë në fshatin Shkallë, ku një automjet u përmbys në rrugës si pasojë e devijimit nga zhavori.
Ndërkohë në fshatin Fshat, puna ka nisur për ndërtimin e rotondos që do të mundësojë hyrjen dhe daljen nga rruga e Arbrit për automjetet që vijnë nga Klosi ose daljen nga rruga e Arbrit të atyre që vijnë nga Tirana me destinacion Klosin e Burrelin.
Burime për Mat Televizion thanë se puna do të vijojë intensivisht për ta përfunduar sa më parë rrugën. Sa i përket rrugës lidhëse me Klosin, paraprakisht mësohet se është miratuar një variant që nis nga ura e fshatit Fshat, vijon majtas në drejtim të urës së Vashës dhe ngjitet lart duke shmangur lagjen “Zhuku”. Nga aty do të ndjekë gjurmën e rrugës aktuale të fshatit Fshat.