Është mbyllur edicioni i 11 i Festivalit Folklorik Kombëtar i mbajtur në kalanë e Gjirokastrës. Mbrëmjen e 1 Korrikut ky festival mbylli siparin e tij pas 7 netëve radhazi ku në skenë u ngjitën mbi 1200 instrumentistë e këngëtarë të muzikës tonë foklorike nga të gjitha trojet shqipfolëse e diaspora, mes tyre edhe “Ansambli Folklorik Mati”. Ndërkohë, ndryshe nga 10 edicionet e kaluara, organizatorët e këtij edicioni kanë menduar që të mos ketë garë mes grupeve të paraqitura, duke mos nxjerrë fitues të këtij festivali.

Edhe nata e fundit ka qenë natë performuese nga instrumentist e vocalist të grupeve të ndryshme të paraqitura në këtë festival.

Sakaq, paraqitja e “Ansambli Folklorik Mati” në natën e tretë të këtij festivali mori duartrokitje të shumta për performancën profesionale të gjithë anëtarëve të këtij ansambli. Edhe grupet e Bulqizës dhe Dibrës performuan në të njëjtën natë me Matin.

Festivali Folklorik i Gjirokastrës zhvillohet prej vitit 1968 me një ndarje kohore nga edicioni në edicion 5 vite. Edicioni i 11 do të duhej të ishte zhviluar tre vite më parë, por për shkak të pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, ai u shty për tu mbajtur këtë vit në kalanë e qytetit të gurtë të Gjirokastrës.