Pas lajmit të dhënë në Mat Tv një ditë më parë në lidhje me segmentin e ri të rrugës së Arbrit nga Ura e Çerenecit – Maqellarë, që asn nuk ishte e hapur dhe as e bllokuar, firma që e ka ndërtuar ka reaguar menjëherë. Ajo ka bërë të mundur bllokimin e hyrjes nga ana e Maqellarës, duke vendosur një element të madh prej betoni që pengon hyrjen e automjeteve. Por kjo ka sjellë probleme në këtë rrugë pasi mjetet që vijnë nga Bulqiza futen në urën e Gjoricës. Ata përballen me mbylljen e daljes në Maqellarë duke bërë që të përballen me befasi dhe të detyrohen të kalojnë livadheve duke rrezikuar jetën. Drejtuesit e mjeteve shprehen se duhet vendosur sinjalistika që të lajmërojë ndalimin e hyrjes, megjithëse në atë rrugë futen për tek banesat e tyre edhe banorët e Gjoricës.

Të kontaktuar nga ana jonë përfaqësues të firmës që e kanë ndërtuar këtë segment të rrugës së Arbrit thanë se qarkullimi në të do të nisë vetëm kur të ketë përfunduar e gjithë puna.