Mbyllet merkatoja, futbollistët shkojnë në FSHF për federim

0
13

Ekipi matjan i futbollit në kategorinë e parë, Burreli, ka mbyllur zyrtarisht merkaton e dimrit, duke vendosur të gjithë emrat të cilët do ta përbëjnë atë për pjesën e mbetur të kampionatit. Lojtarët të cilëve iu është besuar veshja e fanellës së Burrelit, janë dërguar për federim në Federatën Shqiptare të Futbollit, zyrtarizimi i të cilëve pritet të bëhet në dy ditët e ardhshme.

Trajneri i ekipit të Burrelit, Alert Alcani është optimist për ekipin aktual i cili sipas tij do t’i bëjë ballë me profesionalizëm garës në të parën. “Mund të them me bidnje se merkatoja e dimrit është mbyllur. Kemi arritur të ndërtojmë një ekip dinjitoz me 5 afrime. Repartet janë të gjitha të plotësuara dhe lojtarët e marrë në këtë fazë na japin siguri për një ecuri të kënaqshme.

Ajo që duhet theksuar është se kemi bërë shumë edhe për stolin ku sportist të rinj e cilësor do të jenë në dispozicion në çdo kohë. Falenderoj drejtuesit e klubit për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kësaj kohe si dhe duke respektuar zgjedhjet tona si trajner. Mendoj që me Erzenin do tja nisim mbarë dhe të vazhdojmë atë objektivin tonë për të qenë një ndër më të mirët e grupit A” – tha Alcani.

Kampionati i kategorisë së parë në futboll do të rinisë këtë të shtunë, ku Burreli do të presë në shtëpi, ekipin e Erzenit të Shijakut.