Është mbyllur një ditë më parë procesi i aplikimeve për regjistrimin në shkollat e mesme, proces ky i rihapur nga Ministria e Arsimit për periudhën 15 – 30 Gusht.
Nga të dhënat e siguruara nga ZVA Mat e Klos, rezulton se në klasën e 10 në shkollat e mesme të Matit janë regjistruar 215 nxënës, nga 296 që janë regjistruar një vit më parë.
Ndëkohë në shkollat e mesme të Klosit janë regjistruar në klasën e 10 për këtë vit 97 nxënës nga 152 që janë regjistruar një vit më parë.
Me këto statistika, në shkollat e mesme të Bashkisë së Matit do të jenë më pak se viti i kaluar në klasën e 10, 81 nxënës, ndërsa në Klos 55 nxënës më pak.
Sa i përket klasave të para, në Bashkinë e Matit numri është pothuajse i njëjtë me të një viti më parë. 222 fëmijë u ulën për herë të parë në bankat e shkollës në fillim të vitit 2020, ndërsa këtë vit do të nisin klasën e parë 220 fëmijë.
Në bashkinë e Klosit, vitin e kaluar u ulën në bankat e klasës së parë 170 fëmijë, ndërsa për vitin shkollor 2021 – 2022 janë regjistruar 126 nxënës.
Diferenca nga viti në vit për klasat e para në Bashkinë e Klosit është me 44 fëmijë më pak. Ndërkohë të mërkurën e 1 Shtatorit nxënësit nga klasa e parë e vitit të kaluar deri në të 11 do të nisin mësimin plotësues që do t’i paraprijë fillimit të vitit të ri shkollor me datë 27 Shtator.