Të premten e kaluar janë mbyllur aplikimet për të përfituar nga skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë në disa sektor. Fermerët kanë patur mundësi që për më shumë se dy javë të aplikojnë në portalin e-albania për të përfituar mbështetje ekonomike për mbjelljet stinore, bagëtinë, bletarinë etj. Përgjegjësi i Sektorit të Ekstensionit Bujqësor në Mat, Dritan Pjeçi tha se fluksi ka qenë më i lartë se të gjitha vitet e kaluara. Sipas tij, shkak është bërë edhe lehtësimi i fermerëve apo banorëve për të bashkuar ekonomitë dhe të plotësojnë kriteret e skemës mbështetëse. Në rang vendi, Pjeçi tha se këtë vit kanë aplikuar më shumë se 15 mijë fermer. Ndërkohë në Mat kanë aplikuar 700 fermer ndërsa për bagëtinë rreth 200 fermer.

  Nga ana tjetër, Pjeçi tha se tani procesi ka hyrë në fazën e verifikimit të dokumentacionit të ngarkuar në portalin e-albania e më pas do të bëhet listimi i fituesve.

Fermerët që kanë aplikuar këtë vit për mbështetje me naftë falas kanë patur mundësinë të bashkohen dhe të formojnë sipërfaqen prej 1 hektarësh që ishte si kriter i vendosur nga ministria.