Mbyllen aplikimet për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi
Është mbyllur skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026, pas shtyrjes së vendosur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Skema përfshinte mbështetje financiare për blegtorinë, bletarinë, dosat dhe paradosat, kontrollin biologjik, fermat organike, certifikimin Global G.A.P, sipërfaqet e mbjella, si edhe ripopullimin në ujërat e brendshme. Në kuadër të kësaj skeme mbështeten gjithashtu investimet për fermerët e rinj, ndërtimi i staneve dhe mekanizimi i bujqësisë. AZHBR u bëri thirrje fermerëve që të aplikojnë brenda afatit, duke sqaruar se aplikimet për masat direkte kryhen përmes portalit e-Albania, ndërsa për masat e investimeve dosjet fizike duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të agjencisë. Fillimisht, afati i aplikimeve ishte përcaktuar të mbyllej më 26 qershor, por Ministria vendosi ta shtyjë atë deri më 6 korrik, për t’u dhënë mundësi një numri sa më të madh fermerësh të përfundojnë procedurat e aplikimit. Procesi i aplikimeve për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026 nisi më 25 maj, duke u ofruar fermerëve mundësinë të aplikojnë për një sërë masash mbështetëse, që synojnë rritjen e prodhimit, modernizimin e fermave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor. Aplikimet do të verifikohen nga specialistët për të parë nëse kanë plotësuar kriteret e paracaktuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.