Firma mirëmbajtëse e aksit nacional Burrel – Skuraj më në fund ka mbushur të gjitha gropat e shfaqura në rrugë me asfalt. Mat Televizion ka ngritur vazhdimisht problematikën e kësaj rruge duke sjellë edhe zërin e përdoruesve të këtij aksi shumë të rëndësishëm për të gjithë qarkun Dibër e më gjerë.
Megjithëse mbushja e gropave është provizore pasi nuk e zgjidh përfundimisht problemin në këtë segment të rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi, momentalisht situata paraqitet disi ndryshe.
Tashmë drejtuesit e mjeteve nuk do të kenë frikën e përballjes me gropat gjatë gjithë aksit, pavarësisht se rruga ka probleme të tjera, gropat tashmë nuk ekzistojnë.
Ndërkohë, problem mbetet segmenti në fshatin Bushkash të Ulzës pasi megjithë ndërhyrjen e bërë nga ana e firmës, aty nuk është arritur të eleminohet rrjedhja e ujit në asfalt çka ka bërë që të nisë menjëherë dëmtimi i asfaltit të hedhur pak ditë më parë.
Jashtë kameras drejtuesit e mjeteve u shprehën se kjo ndërhyrje duhej të ishte bërë kohë më parë në mënyrë që të mos lejohej që i gjithë aksi të degradohej në këtë mënyrë.