Periudha nga data 15 Prill e deri me 30 Maj është më e përshtatshmja për shumimin natyral të peshkut në liqenet Ulëz e Shkopet. Për këtë arsye, organizatat lokale të Peshkimit dhe inspektoriati i Peshkimit pranë Drejtorisë së Peshkimit dhe Akuakulturës pranë Ministrisë së Bujqësisë, iu kërkojnë peshkatarëve që të mos kryejnë aktivitet në këtë periudhë. Kryetari i Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit Ulëz, Gjon Rica thotë se të gjithë ata që do të shkelin ndalimin e gjuetisë në këtë periudhë do të përballen me ligjin. Rica shtoi se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit niveli i liqenit është në kuota optimale për shtimin natyral të peshkut të llojit, Krap, Nilës dhe Mlyshit.
Në të njëjtën linjë është edhe Inspektori i Peshkimit për Qarkun Dibër në varësi të Drejtorisë së Peshkimit dhe Akuakulturës pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ervin Ruçi i cili tha se për të monitoruar këtë periudhë është ngritur edhe një taskforcë nga ministria e cila do të veprojë në terren.
Vitet e kaluara janë hasur problematika të mëdha në periudhën e shtimit natyral të peshkut për shkak të shfrytëzimit në maksimum të ujit të liqenit nga HEC-i, si dhe gjuetisë së paligjshme. Pak muaj më parë në liqenet Ulëz e Shkopet u hodhën edhe 100 mijë copë rasat.