Në Urën e Urakës, që ndan Matin me Mirditën, pak para se të bëhej totalisht e pakalueshme nga shembja, është ndërhyrë me një investim modest për ta shpëtuar. Ura e cila është pjesë e rrugës nacionale Shoshaj – Urakë – Rrëshen ishte gati në shembje të plotë për shkak se ujërat e shiut dëmtuan pjesën hyrëse të saj si rezultat i mungesës së mirëmbajtjes.
Pak ditë më parë është bërë kjo ndërhyrje, duke hedhur mbi zgavrën e krijuar disa kamionë me zhavorr, në mënyrë që situata të mos agravonte deri në shembjen totale dhe bllokimin e këtij aksi rrugor të rëndësishëm për qarkullimin drejt veriut të vendit.
Nuk dihet nëse kjo ndërhyrje është bërë nga autoritetet lokale apo nga subjektet private, por momentalisht është parandaluar e keqja më e madhe, ndërsa rreziku tashmë vijon në anën e poshtme.
Siç e kemi theksuar edhe në kronikat e mëparshme informative, të dy anët e hyrjes lindore të kësaj ure rrezikoheshin si pasojë e rrjedhjes së ujit sa herë ka reshje shiu.
Kjo ka bërë që nënshtresa poshtë asfaltit të gërryhet gradualisht, e për pasojë të dëmtohet i gjithë konstrukti i rrugës. Aksi rrugor Shoshaj – Urakë – Rrëshen është ndërtuar rreth 13 vite më parë, por pas përfundimit të afatit të garancisë së punimeve dhe për shkak se ajo u dëmtua shumë shpejt, duke çuar miliona euro dëm, mbeti pa pronar.